Përmbledhje e shkurtër e projektit

ArtPlane

Ky projekt ka të bëjë me organizimin e një gare me aeroplanë letre për fëmijë në shtatë qendrat regjionale të Kosovës, e cila planifikohet të fillojë në Ditën e Pranverës, me 21 mars 2020 në Prishtinë dhe të vazhdoj më tej ne 6 qytetet e tjera. Në përfundim të këtij projekti, në Prishtinë do të mbahet gara finale, ku do të garojne finalistët e të gjitha qyteteve dhe kjo planifikohet të bëhet ne fund të shtatorit, i cili edhe njihet si muaji i rinisë. Të drejtë pjesëmarrjeje këtë vit do të kenë nxënësit e klasëve të katërta të shkollave publike dhe private të 7 qendrave regjionale.

Objektivi

Organizimi për herë të parë i një gare me aeroplan letre, të cilët do të ndërtohen dhe do të ngriten në ajër nga fëmijë të të dy gjinive të klasës së katërt. Synohet që kjo garë të bëhet tradicionale dhe në të ardhmen të përfshijë më shumë grupmosha, si dhe të zgjerohet edhe përtej shtatë qendrave regjionale të Kosovës.

Qëllimi

Angazhimi i fëmijëve në arsimimin STEAM (Shkencë, Teknologji, Inxhinieri, Art dhe Matematikë), në një mënyrë argëtuese, duke i bërë ata që ta ndjejne shkencën si pjesë të çdo loje dhe argëtimi që ata duan dhe bëjnë çdo ditë.

Kriteret e kualifikimit

Në këtë edicion të parë të kësaj gare, do të marrin pjesë nga 20 fëmijë nga çdo shkollë pjesëmarrëse. Të parët që regjistrohen, ata edhe do të marrin pjesë. Të gjithë fëmijëve që regjistrohen do të ju dërgohen udhëzimet e nevojshme rreth pjesëmarrjes në gara dhe së bashku me to edhe një material i përkthyer në gjuhën shqipe, që ka për qëllim të ju ndihmojë fëmijëve që paraprakisht të bëjnë prova në ndërtimin e aeroplanëve dhe hudhjen e tyre në ajër. Këto materiale do të ju dorëzohen të printuara nëpër shkolla përmes mësuesve të tyre.

Rregullat e turnirit

Garat do të mbahen në një hapësirë të madhe të brendshme, pa erë, kondicioner ajri apo ventilator.  Meqenëse në kohën e mbajtjes së tri garave të para mundë jetë ende ftohte dhe garuesit janë fëmijë, salla do të ngrohet pak para fillimit të garës por ngrohja ndalet të paktën 30 minuta para se të fillojë gara, në mënyrë që ajri të stabilizohet. Fëmijëve gjithashtu do t’ju jepen edhe veshje me logo te garës dhe sponzorëve. Në rast së për garën e fundit dhe finalen e madhe do të ketë temperatura të larta, salla do të ftohet paraprakisht, por përsëri ftohja do të ndërprehet të paktën 30 minuta para fillimit të garës, për të njëjtë arsye si më lartë. Garat do të zhvillohen në dy kategori: atë të distancës dhe të qëndrimit në ajër. Të gjithë fëmijët do të kenë kohën e njëjtë për të ndërtuar aeroplanin e tyre. Pas kësaj, fëmijët do të thirren me radhë në bazë të kategorisë për të bërë hudhjet e tyre. Të gjithë fëmijëve në momentin e regjistrimit do tu ipen materiale për studim dhe udhëzues për ndërtim të aeroplanëve të letrës, në bazë të të cilave ata do të përgatiten për garën. Në të gjitha kategoritë, për ndërtimin e aeroplanit të letrës, fëmijët mund të përdorin vetëm një copë letre A4 të formatit standard, me peshë jo më të madhe se 100gr.

Rregullat në kategorinë e distances

Për kategorinë e distancës, çdo fëmijë e hedh aeroplanin e tij/saj, ndërsa një person i autorizuar e bën matjen në metra. Të gjitha distancat duhet të maten nga vija e fillimit deri tek pika e parë në të cilën godet aeroplani tokën, e jo vendin ku ndalet, nëse ai vazhdon të rrëshqasë në dysheme. Çdo fëmijë ka tri mundësi gjuajtje dhe distanca e tij/saj më e mirë regjistrohet si rezultati zyrtar i tij apo saj.

Rregullat për kategorinë e qëndrimit në ajër

Për këtë kategori çdo fëmijë e hedhë aeroplanin në ajër, ndërsa personi i autorizuar e mat kohën me një kohëmatës të saktë. Koha raportohet në sekonda dhe të qindtat e sekondit. Çdo fëmije i jepët edhe një mundësi, në rast se aeroplani dështon në nisje në distancën më pak se 3 m.

Shpallja e fituesve

Kur mblidhen të gjitha rezultatet, shpallen tri vendet e para për secilën nga kategoritë. Për hir të transparencës dhe evitimit të pakënaqësive e ankesave, për këtë qëllim do të shfrytëzohet një program për rradhitje në mënyrë automatike, i cili i rangon garuesit sipas rezultateve që futen në sistem. Rangimi i rezultateve do të projektohet në kohë reale ashtu që të shihet nga e gjithë salla.

Arsyetimi i projektit

Motivimi kryesor për organizimin e kësaj gare me aeroplanë letre për fëmijë, është që fëmijëve të ju ipet një mundësi argëtuese që të fillojnë të mësojnë koncepte shkencore, duke iu dhënë kështu rastin që përmes lojës të fillojnë ta duan shkencën. Kjo aq më shumë që programet mësimore në mbarë botën po e theksojnë rëndësinë e madhe të arsimimit STEAM, dhe fatmirësisht ky trend e ka përfshirë edhe Kosovën, ku kurrikula e re bën përpjekje që të avancojë sa më shumë njohuritë e femijëve në këtë drejtim. Këto përpjekje janë intensifikuar posaçërisht pas pjesëmarrjes së nxënësve kosovarë të klasëve të 9-ta dhe të 10-ta në vlerësimin ndërkombëtar të arsimit, PISA 2015, ku rezulatet ishin aq të ulëta sa alarmuan të gjitha institucionet shtetërore e akademike dhe komunitetin akademik të Kosovës, duke e vendosur kështu arsimin si një prej prioriteteve kryesore të Kosovës. Fatkeqësisht, nxënësit tanë sërish dolën me rezulatet te ulëta vitin e kaluar, gjë që tregon nevojën dhe domosdoshmërinë e angazhimit edhe më të madh të institucioneve arsimore dhe autoriteteve përgjegjëse lokale dhe kombëtare, me aktivitete brenda dhe jashtë shkollore. Projekti ynë ofron që të kontribuojë pikërisht në këtë drejtim, duke përdorur një qasje krejt tjetër për t’i njoftuar fëmijët me koncepte të ndryshme shkencore. Sado i thjeshtë mund të duket ndërtimi i një aeroplani letre dhe loja me të, garat me aeroplanë letre ofrojnë shumë më shumë se argëtim dhe lojë. Ajo që mësohet gjatë përgatitjes për një garë të tillë mund të aplikohet në cilëndo fushë të shkencës dhe teknologjisë që kërkon përpjekje të vazhdueshme për realizimin e një qëllimi pëmes testimit dhe gabimit. Garat me aeroplanë letre janë një mënyrë e shkëlqyer për të hulumtuar koncepte të reja, dhe njëkohësisht duke liruar dhe shfrytëzuar maksimalisht kreativitetin. Ndërtimi i një aeroplani letre fokusohet në problem, krijim të zgjidhjeve, testim të tyre dhe përmirësime në bazë të rezultatit të testit. Sipas shumë inxhinierëve dhe pilotëve të cilët janë të pasionuar pas garave me aeroplanë letre, këta aeroplanë janë instrumenti i përsosur për zhvillim të njohurive rreth aerodinamikës, përmes lojës dhe argëtimit. Përmes këtyre garave, fëmijët gjithashtu mësojnë rëndësinë e analizës së problemit dhe përpjekjeve për zgjidhjen e tij duke u bazuar në natyrën e problemit dhe rrethanave brenda të cilave shfaqet. Pra, në këtë mënyrë fëmijë zhvillojnë mendimin kritik dhe të orientuar kah zgjidhja e problemeve. Gjithashtu këto gara janë mundësi e mirë për të dale në pah talente te caktuara, prej të cilëve në të ardhmen mund të ketë kontribut të vlefshëm në fushën e shkencës në pergjithësi, por edhe të aviacionit në veçanti. Shembull i mirë i ngazëllimit që ngjallë ky aktivitet dhe se si edhe për të rriturit është hobi të cilit i përkushtohen me shume pasion e seriozitet, është Kampionati Botëror i Aeroplanëve prej letre – Red Bull Paper Wings. Ky kampionat mbahet nga Red Bull duke u bazuar në rregullat e përcaktuara nga Paper Aircraft Association (PAA). Kjo garë u mbajt për herë të parë në vitin 2006. Garues nga 99 shtete u kualifikuan për garën e vitit 2009. Kampionatet tjera u mbajten në 2012, 2015 dhe 2019. Në vitin 2019 u mbajtën 437 gara kualifikuese anembanë botës, në të cilat garuan mbi 52.000 persona. 176 pilotë nga 58 shtete u kualifikuan për finale, ndërsa në super finalen e mbajtur me 19 maj morën pjesë 10 garuesit më të mirë në secilën kategori. Super Finalja e kësaj gare mbahet në Hangar 7 në Salzburg të Austrisë. Dhe monitorohet nga zyrtarë të Librit të Guiness të Rekordeve Botërore. Fëmijët të cilët tash fillojnë të marrin pjesë në garën për të cilën është zhvilluar ky projekt, në të ardhmen mund të përfaqësojnë Kosovën në këtë Kampionat Botëror.

Promovimi dhe vizibiliteti

Promovimi do të bëhet në disa mënyra:

  • Përmes postimeve në faqen e FB dhe Instagram që do të hapen enkas për këtë turnir.
  • Përmes paraqitjes në emisione televizive dhe të radios.
  • Përmes kontaktimit me kryesuesit e aktiveve të klasëve të katërta, drejtoritë e shkollave të 7 qendrave regjionale të Kosovës dhe Drejtoritë për arsim në Komunat përkatëse.
  • Përmes ngjitjes së posterëve në hyrjet e shkollave
  • Përmes shpërndarjes së fletushkave në qëndrimet ditore ku ka fëmijë të moshave adekuate


Sa i përket vizibilitetit, fillimisht do të krijohet një websajt dhe logo e turnirit e cila do të jetë prezente në të gjitha materialet që shpërndahen me qëllim promovimi. Do të bëhen foto nga takimet e ndryshme dhe këto do të postohen në mediat sociale. Gjatë prezantimeve nëpër shkolla, do të shpërndahen fletushka për nxënësit, ndërsa garuesve do t’iu dhurohen edhe fletore me lapsa në çantë pëlhure si dhe bluzat që do t’i mbajnë veshur në ditën e garës, të gjitha këto me logot e garës dhe të sponzorëve.

Në bazë ditore do të ketë postime në rrjetet sociale. 

Gjithashtu do t’i kushtohet rëndësi edhe promovimit pas mbajtjes së turnirit përmes postimit të fotove nga turniri, intervistave me të pranishmit, shfaqjes së profileve të pjesëmarrësve e në mënyre specifike të fituesve, si dhe intervistave me spektatorët. Promovimi pas turnirit ka për qëllim të krijojë qëndrueshmëri të projektit, të tërheqë vëmendje të vazhdueshme dhe të përfshijë sa më shumë pjesëmarrës në të ardhmen, në mënyrë që të mund të rriten edhe përmasat e projektit.